Drejtoria Komunale e Arsimit në Fushë Kosovë ka mbështetur organizimin e një aktiviteti të rëndësishëm kushtuar shëndetit mendor të nxënësve në gjimnazin “Hivzi Sulejmani”. Aktiviteti kishte për qëllim rritjen e vetëdijes për rëndësinë e mirëqenies emocionale dhe ndikimin e saj në procesin mësimor dhe zhvillimin personal të të rinjve.
Në këtë aktivitet morën pjesë Drejtori i DKA-së në Fushë Kosovë, z. Adriatik Zeqiri, drejtoria e shkollës, përfaqësues të Këshillit të Nxënësve, si dhe organizatat partnere SIT dhe ProPeace, duke dëshmuar bashkëpunimin institucional në mbështetje të nxënësve.
Gjatë aktivitetit u bë edhe hapja e Këndit të Shëndetit Mendor, një hapësirë e krijuar nga vetë nxënësit, e dedikuar për ofrimin e mbështetjes emocionale dhe përballimin e stresit dhe sfidave psiko-sociale në mjedisin shkollor.
DKA Fushë Kosovë vlerëson angazhimin e nxënësve dhe të shkollës, gjithashtu mbetet e përkushtuar në mbështetjen e iniciativave që kontribuojnë në krijimin e një mjedisi shkollor të sigurt, gjithëpërfshirës dhe mbështetës.