Delegacioni i Komunës së Fushë-Kosovës, i udhëhequr nga kryetari Burim Berisha, para fillimit të akademisë vendosi kurorë lulesh në varrezat e përbashkëta në Fushë-Kosovë.
Duke nderuar të rënët kryetari Berisha tha se Marsi tragjik i vitit 1999 shënoi kulmin e terrorit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë, andaj sot i përkujtojmë të 168 të rënët e komunës tonë.
Salla e Qendrës së Kulturës ishte e vogël për t’i zënë të gjithë familjarët e të rënëve. Zëvendëskryetari i Komunës, z. Jakup Tërnava, tha se me dhembje të madhe kujtojmë sot të gjithë ata që ranë në altarin e lirisë dhe zotohemi se idealin e tyre do ta qojmë fuqishëm përpara me punë dhe vepra të mira. Akademinë e përshëndeti edhe Ministri për Zhvillim Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, z.Fadil Ismajli, kurse në emër të familjarëve foli z.Gani Bajrami i cili ndër të tjera tha se edhe sot kur po shënojmë përvjetorin e 15 të masakrës së Fushë-Kosovës plagët janë ende të freskëta, kurse kësaj i shtohet edhe rivarrimi i djeshëm në Suharekë dhe në Krushë. Akademisë përkujtimore nuk i mungoi edhe pjesa artistike ku prezantimet e aktorit Dibran Fylli dhe të këngëtares Albana Bilalli u mirëpritën nga të pranishmit. Pas përfundimit të Akademisë familjarët vizituan varrezat e të afërmve të tyre, kurse zyrtarët komunal vendosën kurora në përmendoret e dëshmorëve Hashim Hajdini, Naser Sekiraqa, Ymer Shala, Arsim Zogjani, Ymer Sfarqa dhe Daut Pllana.