Të martën, më 9 tetor 2012 në orën 10:00, do të bëhet përurimi i fabrikës së përpunimit të ujërave të zeza. Kjo është fabrika e parë e trajtimit biologjik të ujërave të zeza që është ndërtuar në Republikën e Kosovës. Ky projekt që ka kushtuar më shumë se 400.000 euro do t’i dorëzohet (zyrtarisht) në qeverisje Komunës së Fushë-Kosovës dhe Kompanisë së ujësjellësit rajonal Prishtina.
Ceremonia do të zhvillohet tek ndërtesa e Fabrikës së trajtimit të ujërave të zeza në fshatin Harilaç, të Fushë-Kosovës. Fabrika gjendet skaj rrugës, në mes të fshatrave Sllatinë dhe Vrellë, afër kazermës së rrënuar të ish Armatës Jugosllave. Në ceremoni do të marrin pjesë ambasadori i Republikës së Çekisë, Jiri Dolezel, dhe drejtori i Agjencisë çeke për zhvillim, Michal Pastvinsky, përfaqësuesit e organizatave të ndryshme ndërkombëtare në Kosovë, përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës si dhe përfaqësues tjerë relevant të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Pas prerjes së shiritit do të bëhet prezantimi dhe demonstrimi i punës së trajtimit biologjik të ujërave të zeza.
Ky projekt është pjesë e donacioneve të Çekisë për Kosovën, është realizuar në bashkëpunim me institucionet e Kosovës dhe është bashkëfinancuar nga Komuna e Fushë-Kosovës.
Ky Projekt konsiderohet të jetë një model – pikë fillestare shumë e rëndësishme në zhvillim fushës së mbrojtjes së mjedisit.
Projekti është realizuar nga shoqata e kompanive profesionale çeke: “Ircon” lid, udhëheqëse e konsorciumit, “Deconta” dhe “TopolWater”, në bashkëpunim me kompaninë vendëse “Project Plus” L.L.C. “Ne jemi shumë të lumtur të jemi kompania e parë çeke që ndihmon Kosovën në fillimin e zgjidhjes së problemeve ekologjike duke besuar që në të ardhmen do të realizohen më shumë projekte të këtilla, të cilat lehtësojnë jetën ekologjike në Kosovë”, thotë Jan Pavelka udhëheqës i kompanisë “Ircon”.
“Ircon”, pos ndërtimit ka stërvitur punëtorët vendës për udhëheqjen e operimit dhe të mirëmbajtjes së Fabrikës, si dhe ka organizuar fushatën informuese për banorët e Harilaçit-me një përqendrim të veçantë tek fëmijët.
Ceremonia do të përfundojë me një koktej në restaurantin e afërm të Hotel “Vita”.
Ju lusim që ta konfirmoni pjesëmarrjen tuaj në Ambasadën e Republikës së Çekisë, tek znj. Ardiana Shllaku Nikolla; Email: ardiana_shllaku@mzv.cz ose në telefonat: + 381 38 246 676; dhe + 377 44 507 695