Njoftohen të gjithë nxënësit, arsimtarët dhe prindërit që fëmijët e tyre mbajnë mësim në SH.F.M.U. ‘Mihal Grameno’ në Fushë-Kosovë, se në këtë vit shkollor do të kemi një riorganizim rreth mbajtjes së procesit mësimor në këtë shkollë. Për shkak të numrit të madh të nxënësve në këtë shkollë (afër 2600) nuk ka mundësi që të përfshihen të gjithë këta nxënës në dy ndërresa mësimore. Prandaj, nxënësit e ciklit të ulët, prej kl. 1 deri në kl. 5, do të mbajnë mësimin në lokalet e SH.F.M.U. ‘Mihal Grameno’ në Fushë-Kosovë, kurse nxënësit e ciklit të lartë, prej kl. 6 deri në kl. 9, do të mbajnë mësimin në Shkollën e re në Fushë-Kosovë e cila gjendet afër Shkollës ‘Daut Bogujevci’.
Pra, në Shkollën e re do të zhvillohet mësimi kështu:
Nxënësit e kl. 6 dhe 7 shkojnë në ndërresën e paradites duke filluar nga ora 8:00
Nxënësit e kl. 8 dhe 9 shkojnë në ndërresën e pasdites duke filluar nga ora 13:oo
Lidhur me këtë riorganizim të mësimit kemi debatuar edhe në Kuvendin Komunal dhe Kuvendi ka marrë vendim që një pjesë e nxënësve të kësaj shkolle të zhvillojnë mësimin në objektin e ri shkollor në Fushë-Kosovë – (vendimi nr.132 dt.04.07.2018).
Ne shpresojmë se do të gjejmë mirëkuptim te prindërit, arsimtarët dhe nxënësit e kësaj shkolle duke patur parasysh se nuk kemi hapësirë tjetër shkollore. Siç e dini, është duke u ndërtuar shkolla e re afër lagjes ‘Dardania’ dhe shpresojmë që vitin e ardhshëm do të kemi hapësira më të mëdha shkollore.